Në gjyq për 5 akuza, Erion Veliaj i bën “gol” SPAK në seancën e parë

Nga Armand Bajrami
9 Mars 2026, 18:45 | Kronikë

Në gjyq për 5 akuza, Erion Veliaj i bën “gol” SPAK

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk shkoi të hënën në Gjykatën e Posaccme për seancën e parë të gjyqit në themel ndaj tij dhe të 29 të bashkëpandehurve. Përmes një deklarate nga paraburgimi i Durrësit, Veliaj njoftonte se nuk do të paraqiteje me argumentin se “nuk kam seancë paraprake”.

Por ndonëse nuk kishte as avokatë të zgjedhur në sallë, përmes mbrojtëses së caktuara kryesisht nga Gjykata, kryebashkiakut ju pranua një kërkesë që i ishte refuzuar vijimësi gjatë shqyrtimit paraprak.

Përkundër pretendimeve të SPAK, trupi gjykues i dha të drejtë pretendimit të avokates Valentina Teodoresku se klienti i saj nuk ishte njohur me dosjen.“Konstatohet se në mënyrë të vazhdueshme Veliaj ka kërkuar të ketë në dispozicion aktet. Ky trup gjykyes vlerëson t'i verë në dispozicion të pandehurit të gjitha aktet e dosjes”, u shpreh kryesyesja Engjëllushe Tahiri.

Për shkak se i pandehuri Veliaj ndodhet në paraburgim, Gjykata autorizoi një Oficer të Policisë Gjyqsore, që pasi të marrë aktet në kryesekretari t’i përcjellë ato për në IEVP Durrës.

Vendimi u mirëprit nga avokati i bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, po ashtu e pandehur në proces, sipas të cilit, mohimi i mëhershëm i të drejtës së njohjes me aktet do të sjellë pasoja. 

Në seancën e së hënës mungoi edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, që sipas avokatit, ia kishte ndaluar mjeku lëvizjen për shkak të shtatzanisë.Pasi pranoi kërkesën e Veliajt për aktet, për shkak të mungesës së dy prej të pandehurve dhe nevojës për të rinjoftuar dy të tjerë, gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu atë për më 24 mars.

Në këtë proces, Veliaj do të gjykohet për 5 vepra penale, mes të cilave “korrupsion” e “pastrim të parave” të konsumuara sipas SPAK në 13 episode në total.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos