Forcat e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë finalizuar një tjetër operacion antidrogë në kryeqytet, duke çuar në pranga dy persona që merreshin me shitjen e lëndëve narkotike Cannabis Sativa në zona të ndryshme të Tiranës.
Në pranga kanë rënë K. B., 26 vjeç dhe S. S., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik ndaj 26-vjeçarit, policia gjeti një sasi lënde narkotike, ndërsa nga kontrollet e mëtejshme në afërsi të vendit të kapjes, u zbulua një tjetër sasi e fshehur në një vendparkim automjetesh, e dyshuar se i përkiste atij dhe do të shitej më pas, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, tek 27-vjeçari policia gjeti jo vetëm lëndë narkotike, por edhe dy armë të ftohta, tre celularë dhe një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal. (A2 Televizion)