Nga Porti i Durrësit tek AKSHI, Berisha i bën “skaner penal” nga SPAK Edi Ramës

Nga Armand Bajrami
16 Mars 2026, 15:39 | Kronikë

“Po të më pyesnit mua të gjeja një dosje ku ai nuk implikohet, do ta kisha shumë të vështirë ta gjeja. Ndërsa dosjet ku implikohet janë të panumërta”. Pas paraqitjes së radhës në SPAK, lideri demokrat Sali Berisha renditi edhe një tjetër çështje korrupsioni që, sipas tij, rëndon mbi kryeministrin Edi Rama: dosjen e portit të Durrësit, ku, sipas Berishës, Rama ka mashtruar shqiptarët.

“Dosja shkon të paktën në 4 miliardë euro. Ajo është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve që u merret nga Edi Rama për ‘Dubai City’-n e tij, për Dubain e “1001 netëve”. Dhe del e mashtron duke thënë se do të jetë porti rajonal i Korridorit të Tetë, ndërkohë që porti aktual i Durrësit është katër deri në tetë herë më i madh në murin e kalatave dhe në disa parametra të tjerë sesa porti i ri”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Akuzat e kreut të PD-së nga SPAK nuk u ndalën vetëm te kryeministri Rama. “Është edhe dosja e Porto Romanos, ku së bashku me thjeshtrën kanë duart e tyre të zeza. Lexova aktin që një prokuror më solli, ku tregonte se Geron Meçe ishte i regjistruar, i ulur në një tavolinë, në një bisedë të regjistruar. Në këtë tavolinë, Geron Meçe i thotë bashkëbiseduesit se këtu tenderat në AKSHI i përcakton Linda Rama”.

Vendimin e kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për të rishikuar një vendim unifikues mbi mënyrën e caktimit të masave të sigurisë, Berisha e konsideroi si mburojë për krerët e organizatave kriminale. “Mbasi, u krijon mundësi të gjithë kriminelëve të arratisen dhe nuk do të ketë më kriminelë në bankën e akuzës”.

Sali Berisha zbaton masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” dy herë në muaj në SPAK që prej janarit të vitit 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos