Godina në këto pamje, e njohur si ish-Shkolla e Rezervave në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, është “molla e sherrit” që të hënën kulmoi me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit në kryeqytet.
Prej vitit 1992 godina është populluar nga 32 familje që kishin statusin e të pastrehëve, apo të të persekutuarve politikë. Një vit më vonë, në 1993 godinës i doli pronari. Një vendim i Komisionit të Kthimit të Pronave njohu si trashëgimtar të ish-pronarëve, Gjon Shkambin, duke i dhënë atij të drejtën e parablerjes, vendim të cilin mundi ta konfirmojë në vitet në vijim edhe në Gjykatën e Shkodrës.
Pas pretedimeve të blerjes së pronës nga Ministria e Financave, Shkambi u investua përmes përmbarimit për të boshatisur atë që e pretendonte pronën të tij, ndërsa hasi në kundërshtinë e familjeve, që goditën në gjykatë urdhrat e ekzekutimit. Beteja e nisur mes dy palëve nuk ka përfunduar as sot.
Vendimi i së hënës në Apel i shpallur nga gjyqtari Kalaja ishte vetëm një episod i kalvarit gjyqësor më shumë se 20 vjeçar, kalvar, që gjatë rrugës u pasurua me padi të tjera, me kundërshti mbi gjobat e përmbarimit, e tek qiratë e kërkuara nga Gjon Shkambi prej secilit prej familjarëve.
Të hënën e kësaj jave në Apel nga gjyqtari Kalaja Shkambi kërkonte që të linte në fuqi disa gjoba prej gati 50 mijë lekë të vendosura nga përmbarimit drejt familjeve në godinën e pretenduar prej tij, gjobë që ishte shfuqizuar nga Gjykata e Shkodrës në korrik 2024. Vendim i shpallur nuk ishte ai që kërkonte Shkambi.
Nga ana tjetër, në lidhje me pretendimet mbi godinën 3-katëshe vetëm në Gjykatën e Lartë Gjon Shkambi është palë në 10 çështje gjyqësore, 4 nga të cilat janë ende në pritje të gjykimit dhe ku palë kundërshtare janë familjet e godinës.
Sipas vendimeve gjyqësore të siguruara nga A2, vetëm gjatë vitit 2025, Gjon Shkambi i është drejtuar dy herë Gjykatës së Lartë, duke pretenduar se po i shkelet afati i arsyeshëm i shqyrtimit të rekursve të tij në këtë gjykatë. Në një prej tyre, Shkambi i ka thënë Gjykatës së Lartë se kishte bërë një rekurs në maj 2018 dhe se kur kishin kaluar 6 vite e 7 muaj, çështja ende nuk ishte marrë në shqyrtim nga kjo gjykatë.
Në rekursin e pagjykuar, Shkambi kërkonte detyrimin e banorëve për t’i paguar atij një qira prej 20 mijë lekësh në muaj nga shkurti i vitit 2013 deri në ekzekutimin e vendimit. “Zvarrimi i gjykimit ka sjellë pasoja për mua, pasi personat e paditur vazhdojnë të mbajnë në posedim pasurinë time”, pretendonte Shkambi.
Në vendimin e 18 shkurtit 2025 Gjykata e Larte rrëzonte pretendimet e tij për shkelje të afateve, duke e arsyetuar vonesën e shqyrtimit, me ngarkesën e krijuar për shkak të shkarkimeve nga vetingu dhe me faktin se Gjykata po shqyrtonte çështjet në rend kronologjik dhe rekursit të tij ende s’i kishte ardhur radha. (A2 Televizion)