Pasditen e djeshme, në këtë sallë gjyqi, ndodhi një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur sistemin e drejtësisë në vend. Gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi gjatë seancës gjyqësore, duke lënë të shokuar të gjithë të pranishmit në sallë dhe mbarë opinionin publik.
Shenjat e plumbave qëndrojnë ende të shënjuar në sallën nr.3 të gjykatës së Apelit, një ambient vetëm 8 metra katror aty ku ndodhi e gjithë ngjarja.
Skena e krimit ndodhi në vetëm pak sekonda. Pasi gjyqtari Astrit Kalaja dha vendimin dhe po dilte në korridor, autori Elvis Shkambi nxori armën dhe qëlloi në drejtim të tij. Gjyqtari tentoi të mbrohej, por e kapën 2 plumba në gjoks dhe 1 bark, dhe ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Më tej, Elvis Shkambi i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të babë e tij. Ragip dhe Ervis Kurtit, banorët që jetojnë në pronën e pretenduar nga xhaxhai i tij. Me një plumb, i plagosi të dy, pa rrezik për jetën.
Pas krimit i qetë dhe gjakftohtë, autori largohet dhe del në oborrin e Gjykatës së Apelit, i dorëzon armën një nga punonjësve të sigurisë së gjykatës dhe me duar në xhepa pret policinë. Kur mbërrin policia, i riu afrohet, pranon krimin dhe dorëzohet.
Në dëshminë e parë deklaroi se e kishte kryer krimin për shkak se i ishte bërë padrejtësi. Pa ripyetjes nga grupi hetimor, 30-vjeçari deklaroi se armën e krimit e mbante gjithmonë me vete dhe pasi dëgjoi vendimin e gjyqtarit, i mllefosur ndërmori aktin ekstrem.
Ndërkohë xhaxhai i tij Gjon Shkëmbi deri në këto momente nuk ka dhënë asnjë deklarim për grupin hetimor. Ai u arrestua për akuzën e vrasjes në bashkëpunim.
Në pranga ra edhe roja i sigurisë së Gjykatës 63-vjeçari Banush Koxhaj për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Policia pasi ka këqyrur kamerat e sigurisë ka zbuluar se detektori ka dhënë sinjal, por roja i sigurisë nuk ka marrë asnjë masë dhe ka neglizhuar. Në dëshminë e tij roja i sigurisë ka pranuar faktin që nuk i ka bërë kontroll fizik personave që janë futur në seancën gjyqësore të drejtuar nga gjyqtari Astrit Kalaja.
Këtë ngjarje të rëndë e solli konflikti që zanafillën e ka në Shkodër për një godinë në lagjen "Skënderbeg", ku disa familje janë strehuar që nga viti 1992. Në vitin 2012, Gjon Shkambi, që pretendon të jetë trashëgimtar i truallit, mori certifikatë pronësie duke ushtruar të drejtën e parablerjes nga Ministria e Financave dhe Bashkia e Shkodrës. Familjet pretendojnë se ai falsifikoi dokumentesh, ndërsa Shkambi i konsideroi zaptues. Pas një kalvari gjyqesh, ai më fatali ishte i ditës së djeshme që përfundoi me vrasjen e gjyqtarit të Apelit.
Këtë të martë në Apel janë pezulluar seancat gjyqësore të ditës së sotme dhe flamuri është ulur në gjysmë shtizë. Nesër do të mbahen nderimet shtetërore në Pallatin e Kongreseve. Kalaja do të përcillet për në banesën e fundit në Shkodër nesër në orën 16:00. (A2 Televizion)