Njoftimi i ndryshimit të akuzës, Ilir Beqaj fiton një "betejë" me SPAK tek "Sterilizimi"

Nga Armand Bajrami
3 Mars 2026, 19:41 | Kronikë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, fitoi të marten një betejë në luftën e tij me SPAK për çështjen e “Sterilizimit”.

Gjykata e Posaçme vlerësoi të drejtë një pretendim të tij dhe urdhëroi prokurorët e SPAK të argumentojnë më shkrim se përse ndryshuan akuzën ndaj Beqajt në shqyrtimin paraprak nga “shpërdorim detyre” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe t’ia vendosë atë në dispozicion të pandehurit dhe avokatëve.

Në proces, ish-ministri pretendoi se nuk ishte njohur as me shkrim e as me gojë për akuzën në të cilën ishte dërguar në gjykim, shkruan A2.

“Mua ma garanton Kushtetuta dhe Konventa e të Drejtave të Njeriut të vihem në dijeni hollësisht për akuzën që më është ngritur”, tha Beqaj, duke pretenduar se kjo nuk kishte ndodhur.

Ish-ministri kundërshtoi edhe pretendimin e prokurorëve, se akuza e ndryshuar është pasqyruar në dispozitivin e vendimit paraprak të kalimit të dosjes në gjyq dhe në procesverbalin e seancës, kur gjykata praprake kërkoi korrigjim e saktësim të akuzës.

“Gjatë seancave të para unë kuptova që procesverbali ishte audio e seancës”, tha Beqaj. “Unë kërkoj që ky audioregjistrim të dëgjohet në sallë. Aty asnjë nga prokurorët nuk e ka shqiptuar me gojë akuzën e ndryshuar dhe as unë nuk kam thënë që jam njohur me të”, vijoi ish-ministri.  

Në të njëjtën linjë, edhe avokati i tij, Ermal Yzeiraj, i tha gjykatës se nuk mund të bënte mbrojtje efektive dhe të bënte kërkime paraprake pa ditur saktësisht akuzën ndaj klientit të tij.

Seanca e radhës, ku prokurorët pritet t’i paraqesin me shkrim akuzat Beqajt, u caktua për më 7 prill. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos