Sherr brenda IKMT, pezullohen nga detyra personat e përfshirë

Nga A2 CNN
3 Mars 2026, 17:15 | Kronikë

Sherr brenda IKMT, pezullohen nga detyra personat e përfshirë

Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar në ambientet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) këtë të martë. Sipas raportimeve, drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta, është dhunuar nga drejtori i Mjedisit në këtë institucion, Klesti Çela.

Shkak për konfliktin fizik mësohet të jetë bërë një debat i ndodhur disa ditë më parë mes tyre me arsyetimin se i Meta i ka ndërhyrë në punë për një grup inspektimi për çështje dherash.

Për ngjarjen ka reaguar Inspektorati i Përgjithshëm, duke marrë menjëherë masat administrative dhe ligjore ndaj personave të përfshirë.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit zyrtar nga IKMT, strukturat përgjegjëse të Inspektoratit të Përgjithshëm kanë nisur verifikimin e plotë dhe dokumentimin e ngjarjes. Personat e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimit administrativ dhe penal. Paralelisht, janë vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat disiplinorë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi. Inspektorati i Përgjithshëm nuk toleron asnjë formë dhune, sjelljeje të papërshtatshme apo cenim të integritetit institucional. Administrata publike duhet të jetë model korrektësie, profesionalizmi dhe përgjegjshmërie. Integriteti i institucionit dhe besimi i qytetarëve janë prioritet absolut. Inspektorati i Përgjithshëm do të vijojë të informojë publikun dhe mediat mbi ecurinë e procedurave”, thuhet në deklaratën e Inspektoratit të Përgjithshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos