Në Shqipëri, zënkat e përditshme për kufirin e pronës, një borxh të pa kthyer, apo një divorc që s’po mbyllet dot zakonisht përfundojnë në gjykatë. Por ka një mënyrë tjetër për t’i zgjidhur: më shpejt, më lirë dhe pa hyrë në labirintin e drejtësisë. Quhet ndërmjetësim. Nuk ka gjyqtar, nuk ka seanca pa fund, vetëm palë që ulen në një tryezë dhe negociojnë një marrëveshje, me ndihmën e një “arbitri”. Si një “gjyq pa gjykatë”.
“Ndërmjetësimi është një formë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që sjell palët në tryezë për dialog. Ai shmang proceset e gjata dhe të kushtueshme gjyqësore, duke garantuar një marrëveshje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët. “Në shumë raste, ndërmjetësimi është rruga më e shpejtë dhe pa kosto për të zgjidhur një konflikt. Ai ul ngarkesën e gjykatave dhe ndihmon palët të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, u shpreh për A2 CNN kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, Drita Avdyli.
Në një kohë kur sistemi i drejtësisë shqiptare po kalon transformime të thella, dhe numri i gjyqtarëve ka pësuar një reduktim të ndjeshëm për shkak të reformave të fundit, gjykatat janë më të mbingarkuara se kurrë. Në këtë skenar, ndërmjetësimi po bëhet një alternativë jo vetëm praktike, por edhe e domosdoshme
“Reforma në drejtësi ka sjellë standarde të reja, por njëkohësisht edhe sfida, si reduktimi i trupës gjyqësore për shkak të procesit të vetingut. Në këtë kontekst, nxitja e mekanizmave alternativë si ndërmjetësimi nuk është vetëm zgjedhje, por nevojë. Ai ndihmon në shkarkimin e ngarkesës së gjykatave dhe ofron zgjidhje të shpejta për qytetarët”, deklaroi zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta.
Nuk ka nevojë për avokat avokat, as të presësh muaj të të vijë radha në gjykatë. Mjafton një tryezë, dy karrige… dhe vullneti për të folur.
“Shërbimi i ndihmës juridike falas është një mbështetje konkrete për qytetarët që nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë një avokat. Kemi vënë re një rritje të kërkesave, sidomos për çështje familjare dhe pronësie”, u shpreh Patricia Pogaçe, nga Ndihma Juridike Falas.
Ndërmjetësimi ofron një rrugë alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke lehtësuar ngarkesën në gjykata dhe duke ofruar një proces më të shpejtë dhe më të thjeshtë për palët. Në kushtet e reformave dhe ndryshimeve në sistemin e drejtësisë, ai paraqitet si një opsion praktik dhe i nevojshëm për qytetarët dhe institucionet. (A2 Televizion)