“Le të më kalojë sipër fadroma!” Banorët në Theth përplasen me IKMT: Shtëpitë po na i prishin, do vdesim këtu

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 14:31 | Kronikë

“Le të më kalojë sipër fadroma!” Banorët

Situata vijon të jetë e tensionuar në Theth, ku Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe policia po zhvillojnë aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike.

Banori Bekim Koçeku ka dalë përpara fadromës, duke i bërë thirrje autoriteteve të ndalojnë aksionin: “I bëj thirrje shtetit, institucioneve të vijnë e të vënë dorë. Po na prishin shtëpitë, po na nxjerrin në rrugë të madhe. Le të më hipë sipër kamioni, le të vdes edhe unë. I bëj thirrje Ramës, Benet Becit, kujt të mundet të vëjë dorë. Në të kundërt unë do të vdes sepse nuk kam para të paguaj borxhet.”

Edhe motra e tij, e pranishme në protestë, shprehu vendosmërinë për të mos lënë banesat e tyre: “Kemi ndërtuar 5 shtëpi. Bekimi ka marrë kredi, ka lënë pensionin për të ndërtuar. Pasha të madhin Zot, në fadromë vdes, këtë vend nuk e lëshojmë.”

Nga ana tjetër, drejtori i zbatimit të vendimeve në IKMT, Fatmir Mete, deklaroi se në Theth janë planifikuar për t’u prishur rreth 70-80 objekte të ndërtuara pa leje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos