
Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi morën me forcë një 32-vjeçar dhe e mbajtën në një ambient në Xhafzotaj, duke e kërcënuar dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, me qëllim përfitimin e parave.
Gazetari i A2CNN Igli Çelmeta mëson se dy të arrestuarit janë 33-vjeçari Hysen Neza dhe 25-vjeçari Kevin Neza. Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Gjatë operacionit, "blutë" sekuestruan 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme.
“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në vijim të kallëzimit të bërë nga një 32-vjeçar, i cili deklaroi se më datë 31.03.2026, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet”. Në kuadër të operacionit: u ndaluan shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç; u shpall në kërkim shtetasi J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare”, thuhet në njoftimin e "bluve". (A2 Televizion)