Një ditë pasi u prangos nga RENEA, teksa i fshihej drejtësisë në një aparament pranë liqenit të thatë në Tiranë, ku mbante edhe një pistoletë poshtë jastëkut, Aldo alias Elidon Avdyli u përball me Gjykatën e Posaçme.
Në dy seanca të njëpasnjëshme, kjo gjykatë konfirmoi dy masat e sigurisë “arrest në burg” të dhëna në mungesë ndaj tij për llogari të dy hetimeve të ndryshme të SPAK, shkruan A2.
Në seancën e parë, gjykata vendosi të vijojë masën e arrestit të dhënë si i dyshuar në dosjen “Revanshi”. Sipas SPAK në këtë hetim, Avdylaj dyshohet për “përgatitje të kushteve për të kryer vrasje”.
Në seancën tjetër, Avdylit ju komunikua masa e sigurisë “arrest në burg” e caktuar pas dyshimeve të përfshirjes së tij në ekzekutimin e Edmir Bregut 21 janarin e vitit 2021, në Durrës.
Sipas SPAK, Avdyli ishte drejtues dhe koordinator i grupit kriminal, ndihmës në krim ishte Enea Kume, ndësa ekzekutor Alfred Doka dhe ngjarja ishte porositur nga Astrit Avdyli, në shenjë hakmarrjeje, pasi më herët viktima kishte tentuar të vriste Aldo Avdylin.
Në lidhje me këtë çështje, Aldo Avdyli akuzohet për “vrasje me paramendim”, kryer për hakmarrje, “kryerje të veprave nga organizata kriminale” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.
Burime pranë seancave të zhvilluara me dyer të mbyllura bënë me dije se i dyshuari nuk ka shfaqur pretendime para gjykatës. (A2 Televizion)