Vrau vëllanë dhe kunatën, Gjykata e Tiranës mbyll përjetë në burg Arsen Muskurtin

Nga Armand Bajrami
15 Tetor 2025, 17:45 | Kronikë

Gati tre vjet pas një krimi të dyfishtë brenda familjes, ku një 38 vjeçar vrau vëllanë edhe kunatën, Gjykata e Tiranës vendosi të mbyllë përjetë në qeli Arsen Muskurtin.

I pandehuri Muskurti mori dy burgime përjetë për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” të vëllait të tij, Dritan Muskurti dhe kunatës Nora Muskurti dhe një dënim me 7 vite burg për “armëmbajtje pa leje”.

Në bashkim të tyre, togat e zeza vendosën përfundimisht izolimin e tij të përjetshëm në burg. Krimi brenda familjes ndodhi pasditen e 30 gushtit 2022 në rrugën “Myslym Shyri”, ku siç shihet në këto pamje, Muskurti shkoi tek biznesi i familjarëve të tij, hapi zjarr me një pistoletë drejt tyre duke i lënë të vdekur në vend, e më pas u largua me hap nga vendi i krimit.

Ngjarja kriminale u parapri nga një konflikt mes dy vëllezërve Muskurti mbi pronësinë e një agjencie turistike të themeluar prej tyre. Katër ditë para se të qëllohej për vdekje nga vëllai, Dritan Muskurti, kishte kërkuar urdhër-mbrojtje në gjykatë nga Arsen Muskurti, por çështja nuk mundi t’i nënshtrohej shqyrtimit gjyqësor.

Nga ana tjetër, prej më shumë se 1 viti para krimit vëllezërit ishin në një përballje gjyqësore për një shumë të konsiderueshme financiare në lidhje me pronësinë e agjencisë turistike. Në procesin civil, Dritan Muskurti kërkonte kthimin e një shumë prej 17 milionë lekë të rinj.

Gjatë përballjeve me gjykatën, i pandehuri pretendoi se kishte bërë disa kallëzime kundër vëllait e kunatës. Sipas vendimit të Gjykatës mbi fajësinë e Muskurtit dënimi ndaj tij nis prej ditës së ngjarjes, kur edhe u arrestua, dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos