Përgjaken rrugët në nisje të 2026. Aksident fatal, humbin jetën tre të rinj dhe një tjetër plagoset

Nga Arestina Skënderi
1 Janar 2026, 14:33 | Kronikë

Rrugët e vendit janë përgjakur në ditën e parë të vitit 2026. Rreth orës 03:18 të mëngjesit, një aksident i rëndë rrugor me tre viktima ka tronditur jugun e Shqipërisë. Ngjarja ka ndodhur vetëm pak orë pas ndërrimit të viteve, në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e njohur si Bypass.

Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, një Volkswagen dhe një Mercedes-Benz, kanë humbur jetën tre persona. Nga pamjet e siguruara nga vendngjarja duket qartë se përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, ndërsa mjetet janë pothuajse të shkatërruara totalisht.

Në automjetin Volkswagen udhëtonin Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruci, 28 vjeç, të cilët ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, në mjetin tjetër ndodhej Martin Dulaj, 26 vjeç, i cili ka humbur jetën në vendngjarje, si dhe Arsida Demiri, 20 vjeçe, e cila është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia po heton shkaqet e këtij aksidenti fatal, ndërsa viti i ri nis me një bilanc tragjik në rrugët e vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos