Çdo dy ditë një denoncim në polici. Alarm për adoleshentët, 180 largime nga banesa në një vit

Nga Igli Çelmeta
7 Janar 2026, 23:50 | Kronikë

“Djali im 14 vjeç është larguar nga banesa pasi ka marrë pa leje automjetin tim. Ai është larguar nga banesa dhe nuk e dimë ku gjendet. Ka disa orë që nuk po kthehet dhe telefonin e ka fikur”.

Me këtë përshkrim, një prind i shqetësuar u paraqit më datë 5 janar pranë Komisariatit të Policisë në Has, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e djalit të tij adoleshent, i cili kishte fikur telefonin dhe nuk i përgjigjej.

Policia e Kukësit nisi menjëherë kërkimet dhe një ditë më pas, më datë 6 janar, gjeti 14-vjeçarin shëndoshë e mirë në Kosovë, duke ia dorëzuar më pas familjes.

Por, fenomeni i adoleshentëve që largohen nga banesat është kthyer në një shqetësim serioz dhe është në rritje. Sipas të dhënavë të siguruara nga policia, arsyet që i shtyjnë adoleshentët të largohen janë të shumta, konfliktet familjare, ndjenjat e revoltës apo moskuptimit, ndikimi i shoqërisë, lidhjet sentimentale të fshehta, si edhe dëshira për pavarësi, shkruan A2.

Herë në grindje e sipër e herë për lidhjet e tyre të fshehta, problemi nuk mbetet vetëm i familjarëve, por kthehet edhe në një sfidë për Policinë e Shtetit, e cila angazhohet sa herë që bëhen denoncime. Në këto raste, adoleshentët shpallen në kërkim, me qëllim ndalimin e largimit të tyre jashtë vendit, pasi janë denoncuar nga familjarët si “të larguar nga banesa”.

Sipas të dhënave që ka siguruar televizioni A2CNN, vetëm për vitin 2025, në Shqipëri janë denoncuar në polici të paktën 180 raste nga prindër për largimin nga banesa të fëmijëve të tyre nën moshën 18-vjeç. Referuar këtyre të dhënave, statistikat janë shqetësuese, pasi mesatarisht çdo dy ditë në Policinë e Shtetit bëhen denoncime për largim nga banesa të adoleshentëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos