Gjykata e Tiranës i dha fund gjykimit ndaj një 64-vjeçari,të akuzuar për vrasjen e fqinjit 81 vjeçar, duke e goditur me çekiç pas koke. I pandehuri në këtë proces, Isuf Hasa, u shpall fajtor për “vjedhje me pasojë vdekjen” dhe u dënua me 25 vite burg.
Viktimë e krimit të ndodhur janarin e vitit 2025 në Qafë-Mollë të Tiranës, mbeti i moshuari Xhemal Meta, me të cilin i pandehur kishte marrëdhënie fqinjësie prej vitit 2003.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës mbi vrasjen e të moshuarit zbuloi se vrasja ka pasur si motiv vjedhjen e parave të viktimës për të paguar një mikrokredi, çka diktoi edhe rikualifikimin e akuzës ndaj të pandehurit Hasa nga “vrasje me dashje” në “vjedhje me pasojë vdekjen”.
Referuar dosjes hetimore, ditën e ngjarjes, teksa ishte nisur për të shkuar tek vajzat e tij që jetonin në Tiranë dhe Vorë, Isuf Hasa ka ndalur për kafen e mëngjesit te banesa e fqinit 81-vjeçar. Në oborr ai ka gjetur një çekiç, të cilin e ka fshehur nën xhup. Pasi konsumuan kafe për 15 minuta, ai e ka qëlluar me të kur po përcillej prej tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Më tej i ka marrë portofolin viktimës dhe armën e krimit, Hasa ka shkuar tek kafja e fshatit, ku ka pirë një kafe dhe dopio raki para se të merrte furgonin për rrugë.
Sipas hetimit, në të njëjtën ditë 64-vjeçari ju ka lënë vajzave shuma parash, 68 mijë lekë tek njëra dhe gati 120 mijë lekë te tjetra, duke i porositur edhe për pagesat e kësteve të një mikrokredie. Çekiçi i përdorur për krimin u gjet nga policia i fshehur pranë banesës së një prej vajzave.
Gjatë hetimit, Hasa pretendoi se kishte një mllef të akumuluar ndaj 81-vjeçari, pasinë vijimësi i kishte thënë se nuk ishte burrë, pasi ikte nga shtëpia për 4 ditë dhe nuk dinte ç’ bënte gruaja e tij. (A2 Televizion)