Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Arben Metaj me detyrë Shef i Kufirit të Gjelbër Kakavijë në DVKM Gjirokastër, një ditë pas aksidentit që i shkaktoi vdekjen këmbësores 71-vjeçare në aksin Gjirokastër-Kakavijë
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë - Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë A. M., me detyrë Shef i Kufirit të Gjelbërt Kakavijë në DVKM Gjirokastër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Arrestimi i tij u krye pasi ditën e djeshme gjatë drejtimit të mjetit ka aksidentuar shtetasen K. H., e cila si pasojë ka ndërruar jetë. Janë kryer veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i automjetit, gjithashtu edhe marrja e një mostre gjaku për kryerjen e Ekspertimit Toksikologjik. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit ka rezultuar negativ”, thuhet në njoftimin e policisë, shkruan A2.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Mbrëmjen e djeshme viktima Kostulla Harito, sapo ka dalë nga autobusi është përplasur nga automjeti i drejtuar nga oficeri i policisë. (A2 Televizion)