Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për Klevis Ndrecën, 28 vjeç, dhe Daniel Gjeloshin, 26 vjeç, të arrestuar pas përplasjes me armë në Laç më 3 maj 2025, ku mbeti i vrarë Gerald Bitri dhe u plagosën 4 persona të tjerë.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja nisi pas një konflikti verbal mes dy makinave që thuhet se prekën pasqyrat gjatë lëvizjes. Palët ranë dakord të ndaleshin për sqarim në një segment më të qetë, por aty situata u përshkallëzua.
Klevis Ndreca hapi zjarr i pari, duke plagosur tre persona, përfshirë shokun e tij Amarildo Ndoj dhe një shitëse ambulante. Gjeloshi është kundërpërgjigjur me armë, por pa lënduar askënd.
Ndreca u vetëdorëzua në polici, duke dorëzuar edhe armën e krimit dhe deklaroi se kishte qëlluar nga frika, pasi sipas tij, pa tek të rinjtë armë. Arma e Gjeloshit u gjet pranë vendit të ngjarjes. (A2 Televizion)