Vetëm masë “detyrim paraqitje” ka caktuar Gjykata e Korçës për Alti Nallbatin, vëllain e deputetit demokrat Bledion Nallbati, të cilët mbrëmjen e së dielës u përfshinë në një konflikt fizik për motive të dobëta me një shofer kamioni, në qytetin e Devollit.
Mbi vëllain e ligjvënësit demokrat rëndonin akuzat “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
“Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 06.05.2025 ora 12.30 seanca me objekt: “Vleftësim arrestimi në flagrancë, caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit A.N i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” parashikuar nga nenet 274/1 dhe 293 të Kodit Penal. Gjykata, në përfundim të gjykimit, vendosi: Pranimin e kërkesës. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim per t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për këtë shtetas”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Korçës.
Sipas avokatit, Nevzat Tarelli ka qenë vet prokuroria e Korçës që ka kërkuar detyrim paraqitje për vëllain e deputetit, kërkesë e cila është marrë parasysh nga gjykata e Korçës.
Deputeti Bledjon Nallbati ka akuzuar drejtorin e policisë së Korçës dhe drejtuesin politik të PS në qarkun e Korçës, Niko Peleshi se kanë ndërhyrë në këtë ngjarje, duke çuar në arrestimin e vëllait të tij.
Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 21:15 të mbrëmjes së të dielës, në afërsi të rrethrrotullimit të Mirasit në qytetin e Bilishtit. Nallbati dhe vëllai i tij deklaruan para hetuesve të ngjarjes se kamioni ka qenë me shpejtësi dhe mund t’i kishte goditur nga pas, ndaj reaguan në atë lloj forme ndaj drejtuesit të tij.
Ndërkohë, në pamjet filmike shihet Alti Nallbati teksa ndalon automjetin me të cilin lëvizte bashkë me vëllain e tij, Bledion Nallbatin, duke penguar qarkullimin e automjeteve që lëviznin në këtë aks rrugor dhe përfshihet në konflikt verbal e fizik me drejtuesin e kamionit. (A2 Televizion)