Pjesë e një grupi kriminal në Itali, arrestohet në Durrës 33-vjeçari

Nga A2 CNN
21 Gusht 2026, 11:11 | Kronikë

Pjesë e një grupi kriminal në Itali, arrestohet në

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 33-vjeçar nga Shijaku, i cili akuzohet në Itali, si pjesëtar i një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike.

“Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional me homologët në Itali, nëpërmjet Interpol Tiranës, si dhe i veprimeve të shpejta policore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Next”, gjatë të cilit u lokalizua në Durrës, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi: M. T., 33 vjeç, banues në Shijak”, njofton policia.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Penale e Breshias i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”. 

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos