
Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetas duke thyer xhamat e një autobusi urban. “Blutë” bëjnë me dije se u arrestua në flagrancë 33-vjeçari me inicialet Ç. K. Ky i fundit akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kryen veprimet hetimore dhe procedurale për rastin dhe në përfundim të tyre arrestuan në flagrancë shtetasin Ç. K., 33 vjeç, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ky shtetas dyshohet se gjatë pasdites së djeshme, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pas një konflikti verbal për motive të dobëta me drejtuesin e një autobusi, e ka fyer atë, ka bërtitur dhe më pas ka thyer me grushte, xhamin e parmë të autobusit dhe xhamin e derës së tij”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)