Plagosja e 28-vjeçarit në Durrës, zbardhet dinamika e ngjarjes. Sherri për një vend parkimi

Nga A2 CNN
21 Gusht 2025, 09:39 | Kronikë

Plagosja e 28-vjeçarit në Durrës, zbardhet dinamika e ngjarjes.

Është zbardhur dinamika e ngjarjes së ndodhur në Hamallaj të Durrësit, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se konflikti nisi për parkimin e një automjeti, vijoi me sende të forta dhe më pas u përdorën armët e zjarrit.

Po ashtu, blutë bëjnë me dije se kanë vënë në pranga dy shtetas dhe kanë shpallur në kërkim dy të tjerë, shkruan A2 CNN.

28-vjeçari i plagosur ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Njoftimi i Policisë:

Durrës-Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në Hamallaj, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, gjatë një konflikti me sende të forta e më pas me armë zjarri, për parkimin e një automjeti.

Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.

Sekuestrohen dy armë të ftohta (thika) dhe prova shkencore që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes.

Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Hamallaj, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. L., 37 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

A. S., 18 vjeç, banues në Borakë, Shijak, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:

A. L., 44 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

S. L., 21 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në fshatin Hamallë Sektor, Njësia Sukth, Durrës, në zonën e bregut të detit Adriatik, shtetasi A. L., 37 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij A. L., 44 vjeç, si dhe nipin e tij S. L., pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin L. R., që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit të A. L., 37 vjeç, konflikt i cili fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas duke përdorur armë zjarri që e mbante pa leje, ka tentuar të vrasë shtetasin L. R., 28 vjeç, banues në Kolesjan, Kukës.

Nga të shtënat, 28-vjeçari ka pësuar dëmtime shëndetësore dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën sende të forta si bishta druri të përdorur në konflikt.

Në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit të arrestuar A. S., u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale dy thika, të cilat ai i mbante pa leje.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos