Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet lidhur me plagosjen me armë zjarri të shtetasit turk Halil Uçar mbrëmjen e së hënës në Tiranë. 39-vjeçari u plagos në ambientet e një restoranti turk në zonën e Saukut të vjetër. Sipas policisë autori është një shtetas turk me origjinë kurde.
Ai e ka qëlluar 39-vjeçarin me pistoletë nga një distancë e afërt, por i është bllokuar arma dhe i plagosuri ka marrë vetëm një plumb pranë barkut, ndërsa sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore paraqitet stabël dhe jashtë rrezikut për jetën.
A2 CNN disponon edhe pamjet e autorit të krimit brenda restorantit, por edhe teksa ai largohet me vrap nga lokali. Për herë të fundit ai është pikasur nga kamerat e sigurisë një rrugë pranë liqenit të Thatë, siç duket edhe nga pamjet që A2 CNN ka siguruar. Burime bëjnë me dije se i plagosuri 39-vjeçari Halil Uçar nuk është treguar bashkëpunues me hetuesit për identifikimin e autorit dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Policia dyshon se i plagosuri merret me aktivitet të paligjshëm, pasi kishte disa ambiente me qira në kryeqytet. Grupi hetimor po heton edhe pistën nëse shtetasi turk merrej me aktivitetin ilegal të call center-ave apo të kriptomonedhave. Konfliktet në aktivitetet e tij të paligjshme dyshojnë hetuesit së mund të jetë edhe shkaku i tentativës për ta vrarë 39-vjeçarin Halil Uçar. (A2 Televizion)