Raporti për vitin 2025, SPAK: Përdorëm 53% më pak masën “arrest në burg”

Nga Armand Bajrami
10 Mars 2026, 15:44 | Kronikë

Me kërkesë të SPAK, zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë e kaluan në qeli vitin 2025, por Struktura e Posaçme raporton se ka ulur ndjeshëm përdorimin e masës “arrest në burg”. Në raportin vjetor për vitin e shkuar SPAK thekson se masa “arrest në burg” është ulur në masën 53 për qind në krahasim me vitin 2024, duke reflektuar një zhvendosje drejt masave alternative të sigurisë.

Sipas strukturës që heton zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion dhe grupet kriminale, ndonëse masa e arrestit në burg mbetet një instrument i rëndësishëm në çështjet me rrezikshmëri të lartë, statistikat tregojnë një rritje graduale të përdorimit të masave më pak kufizuese të lirisë, si detyrimi për paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendit.

Në vitin 2025 konstatohet një ulje e ndjeshme e përdorimit të masës së arrestit në burg. Nga 236 raste në vitin 2024, në 100 raste në vitin 2025, një reduktim prej rreth 53%, duke reflektuar një qasje më të kujdesshme dhe proporcionale në aplikimin e masave më kufizuese të lirisë, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, në vitin 2025 vërehet një ulje e përdorimit të masës së arrestit në shtëpi, me rreth 37%.

Raporti i SPAK

Sipas raportit, për veprat penale të korrupsionit, masa ekstreme ‘arrest në burg’ përbën gati 3.5 për qind të totalit të personave në hetim, ndërsa për të dyshuarit për krim të organizuar kjo masë përbën 21.4 për qind të totalit. Referuar të dhënave, për vitin 2025, në plot 152 raste të dyshuarit nga SPAK janë hetuar pa asnjë masë sigurimi personal.

Sipas SPAK, kjo prirje dëshmon përpjekjet e prokurorisë për të individualizuar masën e sigurimit sipas rrethanave konkrete të çështjes dhe rrezikshmërisë reale të personit nën hetim, duke rezervuar masat më ekstreme për rastet kur ato janë realisht të domosdoshme dhe duke forcuar zbatimin praktik të parimit të proporcionalitetit dhe të prezumimit të pafajësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos