Procesi penal ndaj të akuzuarve të dosjes “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme është futur në ngërç. E enjtja shënoi të tretën seancë radhazi, kur avokatët kërcënuan gjykatën me braktisje të sallës, të pandehurit e bënë këtë një orë pas nisjes, ndërsa në përfundim një prej avokatëve u gjobit me 100 mijë lekë gjobë, për shkak se u largua nga gjyqi pasi hoqi dorë nga mbrojtja e klientit.
Në seancën plot kaos e zhurmë, që zgjati 3 orë, edhe pse u ul në tavolinën e dëshmitarit, i penduari i drejtësisë, Skerdi Tasi, i treti pas Nuredin Dumanit e Erion Alibej, nuk mundi të nisë rrëfimin e tij.
Në çdo çast që gjykata i dha leje, ai u ndërpre nga kërkesat e avokatëve, që dominuan seancën duke mos kursyer tonet e larta ndaj gjykatës e prokurorëve. Revolta e avokatëve lidhej me mosvënien në dispozicion të 6 deklarimeve të vitit 2022 të të penduarit Erion Alibej. Ndonëse morën miratim nga gjykata, prokurorët ju dhanë vetëm një nga procesverbalet. Për të tjerët pretenduan se nuk ishin formalë, pasi deklarimet ishin marrë vetëm në audio e video dhe se i përkisnin ngjarjeve të tjera, pa lidhje me të penduarit në proces.
Ankesat e avokatëve ngjallën edhe reagimin e të penduarit Erion Alibej, që po ashtu kërkoi që të mos i jepen të gjitha thëniet e tij mbrojtësve.
“Unë kam bërë një deklarim shumë të gjerë, ku vetëm 25 për qind është këtu. Kush mbron Plarent Dervishajn nga ju, kush mbron Suel Celën, kush i mbron trafikantë të tjerë të drogës? Nëse për shumë emra të tjerë kam folur, nuk ka pse të sillen në këtë proces. Unë kam familjarë që ju rrezikohet edhe jeta, nga emrat që unë kam përmendur në prokurori, pasi janë ende nën hetim ata. Unë për çdo emër që ka dalë nga goja ime unë jam i gatshëm të përballem me të. Unë e di shumë mirë edhe lojën e avokatëve”.
Dy seancat e kaluara të procesit kanë dështuar pas braktisjes së sallës nga avokatët mbrojtës të të pandehurve, pas përplasjeve të forta me gjykatën dhe prokurorinë. (A2 Televizion)