"Rrumi i Shijakut", Laho 3 vjet në kërkim, GJKKO: Njoftojeni për gjyqin

Nga Armand Bajrami
18 Shkurt 2026, 19:02 | Kronikë

Aleksandër Laho, i njohur edhe si “Rrumi i Shijakut”, i njëjti që udhëtonte në të njëjtin mjet me ish-prokurorin, Arjan Ndoja, kur ranë pre e një atentati në vitin 2019, është person në kërkim nga drejtësia shqiptare prej vitit 2022.

Nga ajo kohë ai ka marrë një dënim në mungesë me 10 muaj burg për “korrupsion” nga Gjykata e Posaçme, si edhe një urdhër të dytë arresti nga SPAK, si drejtues i dyshuar i një grupi kriminal të përfshirë në tjetërsimin e pronave.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka bërë një shpallje publike ku e njofton Lahon për seancën e gjyqit ndaj Bledar Polivinës dhe Amar Shkëmbit, të dy të akuzuar si të përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Ndoja.

Gjykata njofton Lahon se ka të drejtë të marrë pjesë personalisht, ose përmes avokatit, si palë e dëmtuar në seancën e 25 shkurtit 2026.Në paragrafin tjetër, gjykata e bën me dije se në rast të mosparaqitjes, gjyqi do të vijojë në mungesë të tij.

Në çështjen në fjalë, të pandehurit Polivina dhe Shkëmbi akuzohen për disa vepra penale, mes të cilave “sigurim të kushteve për të kryer vrasje” në dëm të Ndojës e Lahos, tentativën e vrasjes së tyre dhe “grupit të strukturuar kriminal”.

Në procese të paralele Gjykata ka fajësuar Redian Rrajën dhe Ariol Halilajn për ngjarjen, si edhe janë në gjykim Plaurent Dervishaj e Julian Meçe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos