
Edhe pse rihapi procesin në ngarkim të Arben Frrokut, për shkak të një vendimi të Gjykatës së Strasburgut, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesat e tij dhe vulosi dënimin me burgim të përjetshëm. Frroku është dënuar me burg përjetë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj në shkurt 2013. Kujtojmë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi të rihapet dosja e Arben Frrokut. Strasburgu vlerësoi se procesi ndaj tij ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe duhet të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Mbi bazën e ankimit të Frrokut, Kushtetuesja shfuqizoi vendimin e saj të vitit 2018, në zbatim të vendimit të Strasburgut dhe pasi shqyrtoi pretendimet e tij vendosi t’i rrëzojë ato, pasi nuk i gjeti të drejta.
Arben Frroku kishte kërkuar rihapje të procesit gjyqësor dhe shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve të vitit 2015 të ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe të vitit 2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Ai kishte kërkuar edhe kthim të çështjes për rigjykim pranë gjykatës kompetente duke urdhëruar rigjykimin e saj me tjetër trup gjykues. Por, me këtë vendim të Kushtetueses dënimi përjetë vuloset për Frrokun.
Biznesmeni Frroku pati një betejë të gjatë me drejtësinë, pasi në fillim ai mori pafajësi nga Gjykata për Krime të Rënda. Apeli për Krime të Rënda e gjeti fajtor atë dhe dënoi me burg përjetë, por ndërkohë Frroku ishte arratisur nga vendi dhe u arrestua në Holandë. Ai ende nuk është ekstraduar. Frroku ka pretenduar para autoriteteve holandeze se i rrezikohet jeta nëse transferohet për të kryer dënimin e tij në një burg shqiptar. (A2 Televizion)