Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Bogdan në Berat.
Një 57-vjeçar ka gjetur vdekjen, pasi është qëlluar nga bashkëfshatari i tij 53 vjeç. Të dy kanë qenë duke ruajtur prej disa netësh parcelat me misër që i dëmtonin derrat, kur në përpjekje për të gjuajtur derrin, 53-vjeçari Dhimitër Kuqi ka gjuajtur aksidentalisht bashkëfshatarin e tij Adriatik Toska, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme, shkruan A2.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, që po kryejnë edhe veprimet e para hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që autori është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Beratit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 21:00, në fshatin Bogdan, Berat, shtetasi Th. K., 53 vjeç, banues në fshatin Bogdan, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu me qëllim për të vrarë një kafshë të egër dhe nga pakujdesia ka plagosur shtetasin A. T., 57 vjeç, i cili si pasojë e plagës së marrë ka ndërruar jetë në spital.
Shtetasi Th. K, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet ne vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. (A2 Televizion)