Një aksident në mes të detit ka ndodhur në zonën e Ksamilit, ku dy shtetas francezë, vëllezër me njëri-tjetrin, janë përplasur gjatë lundrimit me jet ski jashtë zonës së sigurisë.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia Kufitare Sarandë, 25-vjeçari A. I., duke lëvizur me mjet lundrues pranë vëllait të tij, 22-vjeçarit I. I., dyshohet se ka humbur kontrollin dhe është përplasur me jet skinë tjetër, duke shkaktuar rrëzimin në ujë dhe dëmtimin e vëllait të tij.
I riu u ndihmua menjëherë nga Njësia Policore Detare Sarandë dhe më pas u transportua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia Kufitare ka bllokuar të dy mjetet lundruese të përfshira në incident dhe po kryen verifikimet përkatëse lidhur me shkeljet e mundshme. Ndaj pronarëve të mjeteve do të merren masat administrative të parashikuara në ligj.
Grupi hetimor i Komisariatit të Policisë Sarandë po vijon veprimet procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)