Nën masa ekstreme sigurie u ekstradua pasditen e 2 majit nga Dubai në Tiranë, Florenc Çapja, një emër i shumëkërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare. Teksa i fshihej drejtësisë, Florenc Çapja u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme, si një nga porositësit e ekzekutimit të dyfishtë të Nezir e Gentian Beqirit, babë e bir, në vitin 2012, në Elbasan.
Sapo preku tokën shqiptare, ai iu dorëzua Drejtorisë së Burgjeve, për t'u dërguar më pas në qelitë e burgut, shkruan A2.
Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjes, po ashtu i dënuar me burgim të përjetshëm për krimin e dyfishtë të babë e bir. Sipas SPAK, Florenc e Ardian Çapja ishin porositës të vrasjes së Gentian Beqirit, pas dyshimeve se ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të Ardianit, Sokol Çapja. Për këtë krim po me burgim të përjetshëm u dënua edhe i akuzuari si ekzekutor, Olsi Leku, emrat e të cilëve dolën nga i penduari i drejtësisë, Ervis Bardhi.
Florenc Çapja u hetua edhe për vrasjen e Fadil Memës, ish-shefit të Rrugores së Elbasanit. Çështja ndaj tij u pushua për mungesë provash, por verën e vitit të shkuar Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykim të çështjes në Gjykatën e Elbasanit.
Emri i Çapjes është përmendur në dy raste edhe në dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, një herë si porositës i një vrasjeje të pakryer dhe një herë si personi që i kishte dhënë një automjet të përdorur për një vrasje.
Në janar të vitit 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro 10 pasuri të Florenc Çapjes të ndodhura në Pogradec e në Elbasan, mes të cilave 4 sipërfaqe trualli, dy godina banimi, një bar-kafe dhe një automjet Audi.
Florenc Çapja është i shumëkërkuari i radhës që ekstradohet nga Dubai, vend i kthyer në vitet e fundit në një parajsë paprekshmërie për të kërkuarit e drejtësisë shqiptare, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi. Pas deportimit prej të njëjtit vend të Plaurent Dervishajt e Julian Meçajt, gushtin e vitit 2024, duket se Dubai nuk është më streha e sigurt e bosëve shqiptarë të krimit. (A2 Televizion)