Policët investuan në XUEX, skemat piramidale online, viktima edhe vetë uniformat blu

Nga Igli Çelmeta
23 Shtator 2025, 18:40 | Kronikë

Skemat piramidale online nuk mashtruan vetëm qytetarët, por edhe vetë Policinë e Shtetit. Qindra efektivë policie të rolit bazë kryesisht inspektorë investuan para në këto skema mashtrimi.

Burime të besueshme i thanë televizionit A2CNN se efektivë policie sidomos të qarkut të Tiranës dhe Lezhës ashtu si shumë qytetarë janë mashtruar nga skemat piramidale online, me shpresën se duke investuar në to do të përfitonin më shumë para.

Pas zbulimit të skemave të mashtrimit siç ishte XUEX kanë qenë vetë efektivët që kanë denoncuar në sektorin e krimit kibernetik personat që drejtonin këto skema mashtruese.

Tashmë hetimet e policisë për goditjen e bazave të grupeve të skemave piramidale online janë shtrirë në të gjithë vendin. Këtë të hënë u arrestua edhe Ereledio Shebeku. Sipas policisë, 35-vjeçari dyshohet si organizatori kryesor për zonën e Divjakës në lidhje me organizimin e këtyre skemave, ndërsa në kërkim vijon të jetë partnerja e tij. 

Ndërkohë burime nga Policia bëjnë me dije se bazat kryesore të skemave piramidale nuk janë vetëm në Divjakë dhe qarkun e Fierit, ku u zhvillua operacioni i fundit, por po hetohen nga Drejtoria e Krimit Kibernetik edhe grupe më të mëdha të skemave piramidale online, kryesisht në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe së shpejti priten arrestime të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos