“Treni bullgar” në Elbasan, policia i gjen fletë votimi false kryeplakut në Pekisht

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 10:56 | Kronikë

“Treni bullgar” në Elbasan, policia i gjen fletë votimi

Policia në Elbasan ka nisur hetimet për rastin e denoncuar ditën e djeshme nga selia blu, ku kreu i PD Sali  Berisha dhe kandidati Bledi Himçi nxorën prova të manipulimit të votave përmes të ashtuquajturit “treni bullgar”, në fshatin Pekisht.

Policia bën me dije se pas njoftimit të marrë ditën e djeshme, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.

Në këtë lokal janë sekuestruar disa fletë votimit false dhe një shumë parash në posedim të kryeplakut të fshatit Pekisht, Dervish Beqiri, njëherësh vëzhgues i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë”, bën me dije policia.

Po ashtu gjatë kontrollit në banesën e Beqirit janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese sportive.

Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale "Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive’”, sqaron policia.

Kujtojmë se kryedemokrati Berisha e cilësoi këtë rast një skandal të madh zgjedhor.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos