Politikanët në "darët" e SPAK, Gjykata e Lartë nuk liron Erion Veliajn, GJKKO Ilir Metën

Nga Armand Bajrami
15 Shtator 2026, 17:13 | Kronikë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk do të lirohet nga qelitë e paraburgimit. Të martën, një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë refuzoi kërkesën e tij për liri, duke konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar ndaj kryebashkiakut në mars të vitit të shkuar nga Apeli i Posaçëm.

Kundërshtimi i kryebashkiakut ndaj izolimit të urdhëruar nga Apeli u rigjykua në Gjykatën e Lartë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Në maj 2026, teksa shqyrtoi vendimin e korrikut 2025 të Gjykatës së Lartë për lënien në burg të Veliajt, Kushtetuesja konstatoi mungesë të një arsyetimi shterues të proporcionalitetit mes nevojës së kësaj mase dhe funksionit të kryebashkiakut, si edhe në prezumimin e pafajësisë prej mbajtjes në kafazin e xhamtë të sallës gjatë procesit gjyqësor.

Pas gati 1 orë e 30 minutash shqyrtim në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, Kolegji Penal, 3 anëtarësh, me relator gjyqtarin Sandër Simoni, vendosi në mënyrë unanime të lërë në fuqi masën “arrest në burg” ndaj Veliajt, masë në të cilën qëndron prej shkurtit 2025.

Teksa Kolegji Penal rigjykonte rekursin e Veliajt, para gjykatës qëndroi një grup protestuesish, që mes thirrjesh kërkonin lënien në burg të kryebashkiakut.

Aktualisht, dosja penale në të cilën kryebashkiaku akuzohet për 5 vepra penale, mes të cilave edhe “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”, ndodhet në fazën e gjykimit në themel në Gjykatën e Posaçme.

Në të njëjtën ditë, të njëjtin fat pati edhe ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta. Vendimi që i preu shpresën për lirim nga qelia, në të cilën qëndron prej tetorit 2024, u shpall nga Gjykata e Posaçme.

Ish-presidenti kërkoi zëvendësimin e masës “arrest në burg” me një masë më të butë, me pretendimin se dosja është në gjykim dhe ekzistojnë rrethanat ligjore për zbutjen e masës së sigurisë.

Dosja penale në të cilën Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë të pandehur, ndodhet në fazën e gjykimit në themel në Gjykatën e Posaçme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos