Prapaskena e atentatit të Rinasit! 5 milionë euro për kokën e Gilmando Danit, nga organizimi te realizimi i atentatit

Nga Igli Çelmeta
25 Nëntor 2025, 16:34 | Kronikë

Prapaskena e atentatit të Rinasit! 5 milionë euro për kokën

Më 11 nëntor 2025, pranë aeroportit të Rinasit, ndodhi një atentat i rëndë, në mes të ditës, pranë qindra qytetarëve. Një skenë krimi që do të lërë gjurmë në kujtesën e vendit.

 “7 NËNTOR 2025. Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri nisen drejt Spanjës”.

Gilmando Dani dhe miku i tij, punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Mustafa Sheqeri, pasi parkuan automjetin tip Benz në aeroportin e Rinasit, u nisën drejt Barcelonës, atje ku kishin planifikuar të qëndronin deri më datë 10 nëntor, por një vonesë e avionit e shtyu udhëtimin e tyre për në datën 11 nëntor. Dani dhe Sheqeri qëndruan 4 ditë në Barcelonë, atje ku takuan edhe persona të tjerë për të cilët hetuesit i kanë kërkuar informacion autoriteteve spanjolle, por ende pa asnjë rezultat. Katër ditë enigmatike që përfunduan më 11 nëntor, kur u nisën drejt Shqipërisë.

“11 NËNTOR 2025. Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri nisen drejt Shqipërisë”.

Pas katër ditësh qëndrimi në Spanjë, Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri mbërrijnë në Shqipëri, në Rinas. Të dy me çantë krahu, pasi kalojnë te dalja e aeroportit, i drejtohen mjetit të tyre që prej 4 ditësh qëndronte i parkuar në parkingun e aeroportit. Të gjitha lëvizjet e tyre deri në momentin që futen në makinë, vëzhgohen nga një sy, një person që qëndron pas tyre si i padukshëm, i cili lëvizjet e Danit dhe Sheqerit i transmeton disa metra më tutje, te rrethi i Rinasit, aty ku dalin makinat e parkuara në aeroport. Aty ndodhej skuadra e vrasësve.

“Tek vizat e bardha te rrethi i Rinasit, aty edhe ku përfundon edhe dalja nga parkingu i aeroportit nisën të shtënat e para me armë zjarri, Pas shpinës time janë këto vizat të bardha ku çdo ditë kalojnë mijëra qytetarë shqiptarë dhe vizitorë të huaj. Aty ku më datë 11 nëntor rreth orës 14:14 minuta këto viza të bardha u kthyen në një skenë krimi”

Shënon ora 14:14 minuta, mjeti Toyota me katër persona brenda qëndron i parkuar me bllokazh, më pas zhvendoset para daljes ku makinat dalin nga aeroporti. Ndërkohë, te vendi ku ishte parkuar më parë, vjen dhe qëndron një veturë tjetër e bardhë. Mjeti Toyota qëndron vetëm 15 sekonda dhe më pas dalin 3 persona nga makina me kallashnikov dhe qëllojnë me breshëri plumbash drejt mjetit tip Benz, ku ndodhej Gilmando Dani pasagjer dhe Mustafa Sheqeri shofer.

Për 20 sekonda nga rrethi i Rinasit largohen të gjitha automjetet, aty mbetet vetëm makina Benz ku ndodheshin Dani dhe Sheqeri dhe makina Toyota e autorëve. Një nga autorët afrohet sërish pranë makinës dhe qëllon nga afër për t'u siguruar që e realizuan atentatin me saktësi. Më pas largohen me shpejtësi, raporton A2 CNN.

Plumbat i morën jetën Gilmando Danit dhe Mustafa Sheqerit, por nga plumbat shpëtuan mrekullisht shumë qytetarë. Siç duket nga pamjet, dy burra ulin kokën teksa plumbat u kalojnë fare pranë. Gra që fshihen pas makinave me zemër në dorë, deri sa të shtënat mbarojnë. E gjithë skena është e denjë për një film aksion.

Për 1 minutë e 5 sekonda që nga nisja e të shtënave të para, nuk pati asnjë reagim nga policia dhe asnjë makinë policie nuk u afrua në vendngjarje, edhe pse Komisariati i Rinasit është shumë pranë rrethit të Rinasit dhe gjithmonë një grup i gatshëm qëndron aty për të ndërhyrë.

“Pas shpinës time duket automjeti i policisë së shtetit i cili ka funksionin e grupit të gatshëm pranë komisariatit të Rinasit, ky grup i gatshëm i cili ditën e ngjarjes nuk reagoi”, raporton gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta.

Distanca deri brenda te godina e komisariatit është rreth 600 metra, por vetëm 150 metra është largësia nga vendi i ngjarjes te rruga e jashtme përballë komisariatit të Rinasit aty ku qëndron gjithmonë një furgon me grupiin e gatshëm të policisë.

“Jemi vetëm 600 metra larg nga vendi i ngjarjes me komisariatin e Rinasit. Sëbashku me operatorin do të lëvizim në këmbë dhe do të shkojmë nga vendngjarja te komisariati, për ta parë për sa kohë e bëjmë në këmbë deri te policia” vijon raportimin gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta.

Prapaskena e atentatit të Rinasit! 5 milionë euro për kokën

Pasi ecëm 150 metra nga vendi i krimit mbërritën aty ku qëndron shpesh policia dhe nga rruga përballë është komisariati.

“Pas shpinës time ndodhet komisariati i policisë së Rinasit. Sëbashku me operatorin erdhëm në këmbë për 1 minutë e 30 sekonda pranë komisariatit të policisë së Rinasit”, raporton gazetari i A2 CNN igli Çelmeta.

Edhe pse Komisariati i Rinasit ndodhet shumë pranë vendit të ngjarjes, zona e rrethit të Rinasit mbulohet nga Komisariati i Krujës, një paradoks i çuditshëm dhe papërgjegjshmëri për sigurinë e aeroportit që përfaqëson sigurinë kombëtare. Pyetja që bën kushdo është: si mundet që një zonë të mbulohet nga një komisariat që është 20 km larg rrethit të Rinasit dhe të mos mbulohet nga vetë Komisariati i Rinasit?

Por ligji për Policinë e Shtetit thotë se çdo efektiv policie duhet të reagojë në çdo rrethanë edhe jashtë orarit të punës, prandaj çdo polic mban edhe armën e shërbimit. E thënë shkurt, sipas ligjit, Komisariati i Rinasit duhej të reagonte në kohë, është apo jo në juridiksionin e tij zona e rrethit të Rinasit.

E gjithë ngjarja duket si një skenar i shkruar në letër, por i realizuar në perfeksion në terren. Me ekzekutorët që realizojnë atentatin, por me trurin që ndodhej disa metra më tutje.

SFOND I ZI, ku shkruhet “Syri i objektivit”.

Momentet e fiksuara nga kamerat e sigurisë që i disponon policia i ngjajnë një filmi aksion me skenar të përkryer. Gjithçka duket të jetë realizuar me detaje, pavarësisht se ka shumë pakujdesi.

Një nga personat që dyshohet të ketë pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit, është pikasur nga policia. Kjo pasi ai është parë të ruante Danin dhe Sheqerin që nga momenti kur dalin nga aeroporti, teksa futen në parkim për të marrë automjetin të cilin e kishin parkuar aty më 7 nëntor.

Personi që i ruante fillimisht ishte me syze, ndërsa më pas nuk ka pasur asnjë maskë mbuluese, çka e ka bërë më të lehtë identifikimin nga grupi hetimor. Ai qëndronte jo më larg se 30 sekonda nga shënjestra: Gilmando Dani dhe miku i tij Mustafa Sheqeri. Përgjatë kohës njoftonte personat që ndodheshin në automjetin tip Toyota.

Nga ana tjetër, autorët kanë shkuar disa minuta përpara në afërsi të rrethrrotullimit të Rinasit. Kjo pasi avioni pritej të mbërrinte 40 minuta më herët, por kishte vonesë, çka shkaktoi pritje.

Edhe pse mjeti i autorëve ka qëndruar disa minuta te rrethi, ky fakt nuk ka arritur të tërheqë vëmendjen e autoriteteve. Në momentin që janë njoftuar nga personi që vëzhgonte, autorët kanë dalë me mjetin e tyre në anën tjetër të rrethit, me drejtim për t'u nisur nga Fushë-Kruja.

Në kamerat e sigurisë që disponon grupi hetimor, personi që i ruan, del në këmbë dhe shoqëron me sy automjetin tip Benz ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri. Ai qëndron në këmbë duke parë gjithë ngjarjen dhe pasi kryhet akti i rëndë, largohet. Këto të dhëna janë mbledhur nga hetuesit. Ky person luan një rol kyç në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Prapaskena e atentatit të Rinasit! 5 milionë euro për kokën

Te rrethi i Rinasit, aty ku autorët po prisnin me mjetin Toyota me targa greke, ka dyshime se nuk ka qenë vetëm ky mjet pjesë e grupit. Ndër shumë mjete të dyshuara në kamerat e sigurisë, shfaqet edhe një mjet i dytë i dyshimtë, për të cilin policia ka kryer verifikime, por deri tani pa asnjë rezultat dyshues. Një makinë e bardhë e cila fillimisht qëndron e parkuar pranë rrethit dhe më pas lëviz dhe shkon te vendi ku ishte parkuar Toyota, e cila ishte zhvendosur duke u pozicionuar disa metra më lart, te rruga nga ku dalin mjetet që vijnë nga parkingu i Rinasit.

Në një moment, duket që shoferi i makinës së bardhë, pasi është parkuar te vendi ku ishte më parë Toyota, ngre dorën nga xhami dhe bën me shenjë. Ky çast korrespondon me momentin kur autorët dalin nga makina dhe nisin të qëllojnë në drejtim të Benzit. Pasi nisin të shtënat, mjeti tjetër i bardhë largohet nga rrethi i Rinasit. Por kur pyesim policinë, autoritetet shprehen se kanë kryer verifikimet dhe deri tani rezulton se mjeti nuk është i përfshirë në ngjarje dhe se lëvizjet janë rastësi.

“Itinerari i autorëve”.

Largimi i autorëve drejt fshatit Halil nga vendi i ngjarjes tregon se kishin studiuar çdo gjë me detaje.

“Tani me makinë do të ndjekim itinerarin që kanë ndjekur autorët pas kryerjes së atentatit, të cilët u larguan drejt fshatit Halil të Krujës aty ku dogjën edhe automjetin”.

Përshkruajtëm me makinë rreth 12 km për rreth 20 minuta deri në fshatin Halil, në një zonë kodrinore me terren të thepisur, aty ku autorët dogjën edhe mjetin Toyota që përdorën në krim. Gjatë rrugës ndeshëm edhe makina policie, të cilët ditën e ngjarjes nuk ishin të pranishëm në këtë aks rrugor. Ky është itinerari që ndoqën autorët. Secila kthesë e tyre nuk kontrollohej. Asnjë postbllok, asnjë verifikim. Ata kaluan të lirë, ndërsa atentati përfundoi në Halil.

 “Kemi mbërritur në fshatin Halil, aty ku pas ngjarjes autorët dogjën automjetin tip Toyota me targa greke. Autorët kanë realizuar me detaje atentatin për të mos lënë asnjë gjurmë, e kanë djegur automjetin në një terren malor, madje nga rruga kryesore nuk ka asnjë kamera sigurie që mund të kenë filmuar itinerarin e autorëve”, raporton gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta.

 “14 Nëntor 2025”.

Tri ditë pas ngjarjes së rëndë dhe hetimeve intensive, Policia e Tiranës deklaroi zyrtarisht se në kuadër të punës hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes te rrethrrotullimi i Rinasit, ishte zbuluar një banesë në fshatin Zall, Fushë-Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni. Gjatë kontrolleve në këtë banesë u gjetën kallëpe tritoli, granata dore, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina), 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë) dhe 6 mijë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Ylli Zalla, 48 vjeç. Më tej, policia njoftoi se po punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet për zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.

Hetuesit i kanë fokusuar hetimet te vëzhgimi i kamerave të sigurisë. Policia ka dyshime se grupi ka qenë i pozicionuar në dy vende me tre shpërndarje, një person te parkingu i Rinasit që ka pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit kur kanë dalë dhe janë futur në makinë Dani dhe Sheqeri, makina e autorëve te rrethi i Rinasit dhe një mjet tjetër dyshohet se ka qenë pranë vendngjarjes. Grupi hetimor ka prova të rëndësishme në duar për ta zbardhur ngjarjen, ku dyshohet se informacioni i parë për Gilmandon Danin dhe Mustafa Sheqerin erdhi nga Barcelona. Deri në këtë fazë të hetimeve policia ka profilin e të paktën dy personave të dyshuar si pjesëmarrës në atentat dhe po punohet për sigurimin e provave. Burime konfidenciale nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetimet janë thelluar dhe se hetuesit kanë zbuluar se për vrasjen e Gilmando Danit, krahut të djathtë të Emiliano Shullazit është paguar plot 5 milionë euro dhe se grupi që ka marrë përsipër atentatin dhe që veprojnë si vrasës me pagesë janë rekrutuar nga një person tjetër, i cili ka bërë lidhjen me porositësit.

Pas ngjarjes së rëndë, autoritetet reaguan duke u shprehur se ngjarja do të zbardhet, por ende nuk kemi asnjë person të shpallur në kërkim.  Madje për ngjarjen regoi edhe Kryeministri Rama, i cili tha se ngjarja mund të ishte zbardhur në kohë reale nëse rrugët do të monitoroheshin me kamera inteligjente, projekt të cilin premtoi ta finalizojë brenda këtij mandati.

“Ajo ngjarja e Rinasit që ndodhi do ishte zbardhur në kohë reale. Në momentin që ai sistem funksionon, parandalon në mënyrë jashtëzakonisht efikase të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë, respektimin e rregullave, nga rregullat e qarkullimit, tek rregullat e bashkëjetesës në një lagje. Brenda këtij mandati do ta kemi këtë sistem”, tha Rama.

“Ky deklaroi se na mungonin kamerat, por cilat kamera mungonin? Me kamerat që janë aty shqiptarët panë çdo gjë me detaje, përveç Ramës që nuk i sheh, sepse do të mashtrojë”, tha Berisha

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku prezantoi projektbuxhetin e vitit 2026, u ndal te projekti i shumëpërfolur “SMART CITY”. Sipas tij, “Projekti SMART CITY, brenda janarit do të mbyllë edhe kontratën dhe për 18 muaj sistemi do të jetë funksional”.

“Ka përfunduar negocimi, besoj se brenda janarit do të mbyllet edhe kontrata me një afat pak a shumë rreth 18 muaj sistemi do të jetë funksional”, u shpreh Proda.

Po të kishim kamera Smart City, ngjarja do të zbardhej më shpejt, u shprehën autoritetet. Asnjë nuk foli për punësimin në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore të një person me precedent si Mustafa Sheqeri, i cili u vra në atentat dhe shoqërohej me Gilmando Danin. Ky fakt u harrua nga autoritetet, po ashtu edhe fakti që u cënua siguria kombëtare, por e gjithë vëmendja u fokusua te kamera inteligjente.

Këto kamera mund të ndihmojnë, por parandalimi duhet të fillojë përpara ngjarjes. Kamerat inteligjente regjistrojnë targa, fytyra, itinerar. Por autorët përdorën mjete të vjedhura, maska dhe djegie të provave. Shteti duhet të fokusohet te parandalimi, identifikimi i vëzhguesve dhe reagimi i menjëhershëm. Atentati i Rinasit ishte një ekzekutim i planifikuar me tre pika vëzhgimi dhe arratisje të kujdesshme. Por pranë një zone të mbrojtur, askush nuk e ndaloi. Kjo ngjarje tregon se parandalimi duhet të jetë prioritet i shtetit, jo vetëm zbardhja e ngjarjes.

“Atentati te rrethi i Rinasit do të mbetet një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura vitet e fundit në vendin tonë, jo vetëm për mënyrën dhe ashpërsinë e realizimit, por më shumë për vendin ku ndodhi, pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, aty ku siguria duhet të jetë maksimale. Fatmirësisht plumbave i shpëtuan qytetarë të pafajshëm, por sot mburoja e vetme e sigurisë së tyre mbetet vetëm FATI”

 

  (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos