Premtonin para për të votuar për PSD-në, arrestohet një person, shpallet në kërkim kryeplaku i fshatit në Kukës

Nga A2 CNN
13 Maj 2025, 09:54 | Kronikë

Premtonin para për të votuar për PSD-në, arrestohet një

Një person është arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen nga SPAK se kanë premtuar para për të marrë vota për Partinë Social Demokrate të Tom Doshit, në Qarkun e Kukësit.

“Nga të dhënat e siguruara rezulton se një grup personash, përmes veprimeve aktive u kanë premtuar dhe ofruar shuma monetare disa shtetasve në Qarkun Kukës, duke i kërkuar të votojnë për një subjekt të caktuar politik, pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Në datën 10.05.2025, në orën 22:00, gjatë një operacioni të SPAK dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së Kukësit u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit K.P. Këtij shtetasi iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale shumat monetare; 205.500 lekë të reja dhe 525 euro, një aparat celular (Iphone) dhe një automjet (Mercedes Benz). Në kërkim është shpallur shtetasi G.P, me detyrë kryeplak i fshatit Lusen, Kukës dhe po punohet për kapjen e tij”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se shtetasit G.P. dhe K.P. janë përfshirë me veprime aktive, duke u premtuar dhe ofruar shuma monetare shtetasve votues në njësinë administrative Ujmisht, në fshatrat Lusen, Matranxhë, Bushtricë të rrethit Kukës, për të votuar në favor të subjektit politik, Partia Social Demokrate (PSD), subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet për Kuvendin 2025, duke kryer elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të  Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë penale personat, të cilëve morën shumat monetare, në këmbim të votave të tyre për subjektin politik.

Prokuroria e Posaçme falënderon Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës për bashkëpunimin në kryerjen e hetimeve lidhur me këtë procedim penal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos