Një krim i rëndë ka ndodhur në ambientet e burgut famëkeq të Greqisë, Koridhalos, ku mësohet se shqiptari i vrarë është një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri. Bëhet fjalë për Jani Aliajn, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços, ngjarje e ndodhur në vitin 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Vritet brenda burgut të Koridhalos në Greqi, Jani Aliaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2016 në zonën e ish-Bllokut në Shqipëri. Jani Aliaj është goditur me mjet prerës gjatë kohës që ka qenë në ajrim në burgun e Koridhalos. Autori i vrasjes është një i burgosur grek rreth 28-vjeç, i cili ka përdorur një mjet të mprehtë të improvizuar për të vrarë 49-vjeçarin nga Tepelena.
Vrasja e Jani Aliajt dyshohet të jetë porositur jashtë burgut. Autori i vrasjes së 49-vjeçarit rezulton të jetë vrasës me pagesë. Po ky autor, 28-vjeçari, në 18 gusht 2025 ekzekutoi 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi. Artur Bashimi është vëllai i Marsel Bashimit, i përfshirë në ngjarje të rënda në Greqi, në një rast në bashkëpunim me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të kërkuar në Shqipëri për vrasjen e Komisar Artan Cukut.
Jani Aliaj prej janarit të vitit 2025 qëndronte në burgun grek të Koridhalos dhe ishte në proces për t'u ekstraduar drejt Shqipërisë për vrasjen e Elton Çiços, ekstradim i cili ende nuk ishte aprovuar nga autoritetet greke. Aliaj u arrestua në Athinë më datë 1 janar 2025 pas 9 vitesh në arrati. Ai kishte ndryshuar look, duke mbjellë edhe flokët, për t'iu fshehur drejtësisë.
Nw vitin 2016 shkak për vrasjen e Çiços dyshohet se ka qenë hasmëria mes rivalëve, e nisur në Greqi, kur të dy ishin në burg. Aliaj kishte qenë në burg për vrasje, ndërsa Çiço për trafik droge. Policia dyshonte se shkak ka qenë fakti se Elton Çiço, gjatë një konflikti në burg në vendin fqinj, e kishte plagosur Jani Aliajn. Dyshohet se konflikti kishte vijuar edhe në Shqipëri, ku Aliaj ishte plagosur edhe në Gjirokastër. Edhe për këtë ngjarje u dyshua Elton Çiço. Konflikti vijoi deri në vitin 2016, kur Aliaj vrau Elton Çiçon brenda një lokali në zonën e ish-Bllokut. (A2 Televizion)