Një 23-vjeçar, banues në Peshkopi, ka rënë në prangat e Policisë në Kroaci, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në Itali, shkruan A2 CNN.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ky operacion u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë vijon puna pë ekstradimin e këtij shtetasi në Itali, shkruan A2 CNN.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit-Kontribut konkret i FAST Albania, nëpërmjet rrjetit ENFAST, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me rrjetin ENFAST dhe homologët e FAST Kroacisë dhe FAST Italisë, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi, në territorin e Kroacisë, i shtetasit shqiptar A. T., 23 vjeç, banues në Peshkopi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake e L’Aquilas, Itali, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian.
Ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin ndërkombëtar, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vënien e tyre përpara drejtësisë. (A2 Televizion)