Gjyqi për zhdukjen e Jan Prengës, zbardhet rrëfimi i kopshtarit: Kërkuan kazmë e lopatë

Nga Armand Bajrami
16 Prill 2025, 16:30 | Kronikë
 

“Më thanë që ka vdekur njëri dhe se duhet ta kalojmë nga makina në makinë. Më kërkuan edhe një kazmë e lopatë. Ju binda se isha i frikësuar, pasi kishin armë”.

Këto dhe të tjera u dëshmuan në Gjykatën e Posaçme nga Festim Bexhdili, kopshtar i kompleksit “Golden” në Shijak, ku janarin e vitit 2020 u transportua pas rrëmbimit trupi i pajetë i Jan Prengës, nga ku u zhduk më pas pa gjurmë. Bexhdili, i cili po rigjykohet në Apel, dëshmoi në procesin ndaj Gramoz (Dritan) Rexhepit dhe 5 të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës. Nga i njëjti kafaz ku ndodhej edhe Dritan Rexhepi, i vetmi i arrestuar nga të pandehurit, Bexhdili tha se kishte qenë duke pastruar pishinën e kompleksit ku punonte, kur kishte ardhur një “Range Rover” i bardhë dhe ishte futur në garazhin e kompleksit.

Pasi kishte shkuar atje, ishte përballur me katër persona, të panjohur për të, por të armatosur. Sipas Bexhdilit, fillimisht, ju ishte bindur për t’i dërguar 4 bidona ujë, e më pas për t’i ndihmuar të zhvendosnin një trup të pajetë nga mjeti “Range Rove” në një “Fiat Doblo”, që përdorej për furnizimet e kompleksit.

“Nuk e di kush ishte viktima. Unë isha i frikësuar, pasi ata kishin armë. Bëra ç’më thanë. Ç’të bëja. Të vritesha me ta”, tha Bexhdili.

Ai tregoi se teksa i bindej urdhrave të tyre aty kishte mbërritur edhe Altin Hajri, pronar i kompleksit, i pandehur në një proces të veçuar për ngjarjen. “Altini u nevrikos. I shau dhe i tha ç’doni këtu, po na merrni në qafë’.

“Ata i thanë, do ikim shpejt”, tha Bexhdili. Më tej, ai dëshmoi se me kërkesë të personave që s’i njihte, ju kishte dhënë edhe një kazmë dhe një lopatë. Gjatë dëshmisë Bexhdili hasi disa herë në kundërthënie, por edhe në “humbje të memories”, kur nuk kujtonte se sa qëndroi Altin Hajri tek garazhi, sa orë qëndruan personat aty, apo edhe nëse iku apo jo me ta.

Kur prokurorja Elida Kaçkini itha se nga pamjet filmike, të administruara si provë, ai shfaqet tek hipën në një nga këto mjete, Bexhdili këmbënguli duke thënë se nuk iku me ta. Më vijim ai tregoi se kishte ikur në shtëpinë e tij në Kavajë, ndërsa të nesërmen, kur ishte kthyer në punë, kishte larë njollat e gjakut në mjetin “Fiat Doblo”. “Kazmën e lopatën nuk i gjeta më, por aty më lanë ata djemtë edhe tre pistoleta”. Po ashtu, ai tha se, as pas arrestimit nuk e kishte mësuar se kush ishte personi i vdekur që kishte ndihmuar ta zhvendosnin.

“Për zotin s’e di. Ça të them”, tha Bexhdili. Në gjykimin e veçuar ndaj Bexhdilit, SPAK ka pretenduar se ai ka marrë pjesë direkt në zhdukjen e trupit dhe ka dijeni për vendin, ndonëse nuk e ka pranuar dhe treguar këtë fakt.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos