
Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi ankimim e bërë nga ish-kandidati për drejtimin e BKH, Gentian Ndoi, kundër vendimit të eemërimit të Joni Ketës në krye të kësaj strukture. Vendimi u mor sot me tre vota pro dhe asnjë kundër nga treshja gjykuese e përbërë nga Altina Nasufi, Ardian Dvorani dhe Sokol Ibi.
Kujtojmë që Ndoi kishte kundërshtuar procedurën e fazës së përzgjedhjes dhe shpalljes fitues të Joni Ketës, duke argumentuar se ai kishte marrë më shumë pikë në vlerësimin e Komisionit Përzgjedhës.
Vendimi i Apelit Administrativ thotë se:
“Gjykata, bazuar në Nenin 40/3 të Ligjit Nr.49/2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, unanimisht: Vendosi Rrëzimin e padisë. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim palës paditëse.
Kundër këtij vendimi lejohet rekurs brenda 30 ditëve në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, afat që fillon nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”. (A2 Televizion)