Kryeministri Edi Rama deklaron se nuk ka bllokim të negociatave me Bashkimin Europian. Megjithëse IBAR, raporti i piketave të ndërmjetme që i hap rrugë mbylljes së grupkapitujve të negociatave, nuk po votohet, Rama tha se gjithçka po ecën sipas agjendës së përcaktuar. Por nga ana tjetër pohon se duhen dhe do të bëhen në prill diskutime intensive me vendet anëtare.
“Flitet e përflitet lart e poshtë për arsye të mosarsyes se negociatat janë bllokuar, janë ndaluar, janë penguar. Kjo është totalisht e pavërtetë. Kush i thotë këto nuk e ka fare idenë se për çfarë flet. Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, por janë një proces testimi i vazhdueshëm dhe provimesh të vazhdueshme dhe ky provim që tani zhvillohet mes nesh dhe vendeve anëtare është një provim kyç, por ama nuk ka absolutisht zero motiv për të folur për bllokim, për pengim. Jemi totalisht sipas agjendës së përcaktuar. Prilli është muaji i diskutimeve intensive pasi në fund të marsit janë mbledhur të gjitha pyetjet e vendeve anëtare dhe pas diskutimeve do të vijë dhe vendimmarrja, shkruan A2CNN.
Kreu i qeverisë iu përgjigjur edhe akuzave të opozitës, duke mohuar rritjen e korrupsionit në Shqipëri. Sipas tij, rritje ka lufta ndaj këtij fenomeni përmes reformës në drejtësi.
“Të thuash që sot Shqipëria ka më shumë korrupsion se ndonjëherë më parë do të thotë të flasësh përçart. Natyrisht që sot flitet më shumë për korrupsionin, qoftë për shkaqe objektive, qoftë për shkaqe totalisht subjektive, qoftë për shkak se si asnjëherë më parë i është hapur korrupsionit luftë dhe lufta i është hapur në radhë të parë politikisht nga një forcë qeverisëse që ka udhëhequr një reformë që ka çliruar duart e drejtësisë, ashtu si kundër nuk mund të ketë korrupsion në rritje dhe të ketë rritje pensionesh me një projeksion i cili është i përfshirë në parashikimet buxhetore të katër viteve, ku çdo janar rritja do të dyfishohet. Që do të thotë, në janarin 2028 do të trefishohet, në janarin 2029 do katërfishohet dhe në janarin 2030 do pesëfishohet.”
Gjatë një takimi për punësimin e të rinjve në sektorin publik, Rama vlerësoi punën e administratës publike. Ndryshe nga perceptimi i masës së gjerë për shërbimin e administratës ndaj qytetarëve, Rama tha se ky shërbim do të jetë edhe më dinjitoz me anëtarësimin e vendit në BE. (A2 Televizion)