Në harkun kohor të 5 orëve, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zhvilloi të martën tre përballje gjyqësore në Gjykatën e Posaçme. Në të parën, ai dështoi të bindte gjyqtaren Elsa Ulliri për ta liruar nga qelitë e paraburgimit. Gjykata refuzoi kërkesën e Beqajt për zëvendësim të masës “arrest në burg” me një masë më të butë dhe po ashtu garancinë pasurore prej 2 milionë lekësh të ofruar nga Beqaj. Në këtë gjykim, duke u bazuar edhe në mbi 20 praktika të Gjykatës së Strasburgut, ish-ministri pretendoi se nuk ekzistonin më kushtet ligjore dhe nevoja për zgjatjen e masës në të cilën rri prej korrikut 2024.
Në përballjen e dytë gjyqësore, gjykimin paraprak të dosjes “SASPAC”, ku është i pandehur për disa vepra, mes të cilave “korrupsioni” dhe “mashtrimi me pasoja të rënda”, Beqajt iu rrëzua kërkesa për ta bërë mbrojtjen e tij në sallë, në krah të avokatit dhe jo në kafazin e xhamtë të sallës.
Beqaj i tha gjykatës se nuk e habiti vendimi i mëparshëm, që i refuzoi lirinë nga paraburgimi, duke pretenduar se ishte mbajtur në izolim për të mbajtur ndezur zjarrin e luftës anti-korrupsion. “Zjarri nuk mund të mbahet ndezur me degë, ashkla, shkarpa e gjethe. Ky zjarr do kërcunj, do trungje”, ironizoi Beqaj, duke përmendur më pas se nën izolim janë edhe Erion Veliaj e Ilir Meta.
Në përballjen e tretë brenda ditës, për dosjen “Sterilizimi”, Ilir Beqaj pretendoi sërish se nuk e kishte të qartë akuzën për të cilën ishte në gjyq, pasi nuk i ishte komunikuar sipas ligjit. Në nisje të seancës, në zbatim të një urdhri të gjykatës për të argumentuar rikualifikimin e akuzës ndaj Beqajt nga “shpërdorim detyre” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup kriminal”, prokurorët thanë se i qëndronin akuzës së rikualifikuar.
“U rikonfirmua që organi i akuzës nuk ka vepruar i pavarur”, tha Beqaj, duke shtuar se akuza ndaj tij ishte urdhër gjykate dhe jo bindje e prokurorëve, të cilëve ligji u njeh ngritjen e akuzës. Gjykata kaloi procesin në fazën e kërkesave paraprake dhe pranoi kërkesën e avokatëve për më shumë kohë, duke e shtyrë seancën për më 28 prill.
(A2 Televizion)