Arben Frroku do të rigjykohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pas vendimit të datës 17 shkurt nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për të rihapur procesin ndaj tij. Gjykata pranoi kërkesën e Frrokut dhe shfuqizoi një vendim të mëhershëm të vitit 2018, duke hapur rrugën për rigjykim të çështjes nga e para.
Frroku kishte kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të vitit 2015 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe atij të vitit 2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të cilat e dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Lamajt në vitin 2013. Ai kishte kërkuar gjithashtu që çështja të kthehej për rigjykim me një trup tjetër gjykues.
Më herët, edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut kishte konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut në procesin ndaj Frrokut, duke kërkuar rishqyrtimin e çështjes. Fillimisht ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por në Apel u dënua me burgim të përjetshëm.
Aktualisht, Frroku ndodhet në burg në Holandë dhe kundërshton ekstradimin në Shqipëri, duke pretenduar se i rrezikohet jeta. Rigjykimi pritet të përcaktojë përfundimisht fajësinë ose pafajësinë e tij.
(A2 Televizion)