Dy persona janë arrestuar në zonën e Bathores, pasi u janë gjetur lëndë narkotike, armë dhe lëndë shpërthyese, raporton A2 CNN.
Në pranga rajën Agron Tafaj, 53 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Laç, dhe Tajson Tafa, 27 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se dy të arrestuarit, të cilët ishin me precedentë penalë të mëparshëm, u kapën në flagrancë në zonën e Bathores, duke transportuar 4 kilogramë kanabis me qëllim shitjen në doza.
Pas arrestimit, shërbimet e policisë kryen kontrolle në banesat e të dyshuarve:
Në banesën e 53-vjeçarit në Gjormë u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim me llamba. Atje u gjetën 48 bimë dhe 120 fidanë cannabis sativa, 7 kg kanabis, si dhe arsenal municionesh: 4 kallëp tritol, 2 granata, 2 ndezësa, 7 fitila detonator dhe 3 kuti me ndezës minash luftarake.
Në banesën e 27-vjeçarit në Tiranë, policia sekuestroi 1 kg kanabis, një peshore elektronike, një shufër metalike dhe një armë të ftohtë (thikë).
Në total, nga operacioni “Kombinimi” u sekuestruan 12 kg lëndë narkotike kanabis, 168 bimë e fidanë narkotikë, municione luftarake, armë të ftohta dhe pajisje për shpërndarje droge.
Policia njoftoi se hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)