
Një sherr mes disa të burgosurve është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Fier më dhomën e ajrimit. Burime nga Spitali Rajonal i Fierit dhe nga institucioni i vuajtjes së dënimit konfirmojnë se gjatë konfliktit dy të burgosur kanë mbetur të plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se të plagosurit janë goditur me mjete të improvizuara, mes tyre edhe brisqe rroje. A2 CNN mëson se Jurgen Zotaj ka goditur Denis Brajoviç dhe pas ai është kundërpërgjigjur.
Pas nisjes së konfliktit, kanë ndërhyrë menjëherë forcat e sigurisë së burgut, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë rikthyer të burgosurit në qelitë e tyre.
Dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme dhe ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga burgu i Fierit pohojnë për A2 CNN se njëri ka qenë në paraburgim, ndërkohë që stafi drejtues i burgut është thirrur më urgjencë për të shqyrtuar situatën.
Nuk dihen ende rrethanat e plota që çuan në nisjen e konfliktit sikurse nuk bëhen të ditur edhe emrat e dy të plagosurve apo të personave që janë përfshirë në konflikt, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar nga drejtoria e institucionit të vuajtjes së dënimit për të sqaruar ngjarjen dhe masat e marra pas incidentit. (A2 Televizion)