Specialistët e Krimeve në Komisariatin Nr. 3 të policisë kanë arrestuar një 23-vjeçar, me inicialet K. K., si dhe kanë proceduar në gjendje të lirë për pesë shtetas të tjerë, pas një konflikti të ndodhur në zonën e njohur si “Stacioni i Trenit”, në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë në ambientet e një lokali në rrugën “Reshit Petrela”, ku 23-vjeçari u konfliktua fizikisht me shtetasit Sh. Ll., 20 vjeç, K. H., 20 vjeç dhe K. N., 20 vjeç.
Gjatë përplasjes i riu ka dëmtuar lehtë me mjet prerës shtetasin Sh. Ll. Situata ka agravuar më tej kur një punonjës i Policisë Rrugore, i cili ndodhej në shërbim pranë vendit të ngjarjes, ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin. Gjatë ndërhyrjes, 23-vjeçari i ka marrë armën e shërbimit efektivit të policisë dhe e ka hedhur disa metra më tej.
Në këtë moment kanë ndërhyrë edhe dy shtetaset L. G. dhe E. G., 25 vjeçe (motra), të cilat kanë kundërshtuar punonjësin e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)