Vranë shqiptarin 17 vjet më parë në Greqi, prokuroria e Korçës çon në gjyq dy autorët

Nga A2 CNN
20 Maj 2025, 12:25 | Kronikë

Vranë shqiptarin 17 vjet më parë në Greqi, prokuroria e

Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy autorët e vrasjes së shqiptarit Arjan Xhambazi 17 vjet më parë në Greqi.

Gëzim Latja dhe Armando Tarushllari u arrestuan një vit më parë nga policia e Korçës në bashkëpunim me autoritetet greke, por iu refuzua ekstradimi në shtetin helen. Ndaj tyre rëndon akuza e vrasjes me dashje në bashkëpunim.

Ngjarja ndodhi në dhjetor të vitit 2008 në rrugën “Efpalinu në zonën e Athinës”, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, mbeti i vrarë Xhambazi dhe u plagos një tjetër. Për këtë ngjarje autoritetet greke mundën të identifikonin dhe ndalonin vetëm njërin prej tre autorëve të dyshuar të ngjarjes.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të dhunshëm midis dy grupeve shqiptare për motive të dobëta, i kanë shkaktuar shtetasit A.Xh., dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit si pasojë e goditjeve me duar/grusht, shkopinj dhe thikë, ku referuar autopsisë si shkak i vdekjes është konkluduar dëmtim i rëndë i pjesës së majtë të kraharorit dhe zemrës që vjen si rezultat i goditjeve vdekjeprurëse”, njofton Prokuroria.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM KORÇË

Pas një viti hetimesh Vranë shtetasin A.Xh. në Greqi, Prokuroria Korçë përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.T dhe G.L. për ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit A.T. dhe G.L. për veprën penale ‘Vrasja me dashje‘ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 76 dhe 25 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.387 të datës 23.12.2008, të pushuar më parë e të rihapur, prokurori i çështjes ka deleguar kryerjen e një sërë veprimesh hetimore të kryera me metoda speciale, me qëllim realizimin e një hetimi sa më të plotë e objektiv, duke marrë në konsideratë edhe kohën e gjatë të kaluar që nga momenti i kryerjes së veprimeve hetimore të fundit.

Referuar akteve, provave dhe indicjeve të administruara gjatë fazës së hetimeve paraprake rezulton e provuar tej çdo dyshimi se të pandehurit G.L dhe A.T. alias J.C. alias A. Xh. alias M. D. alias M.C. alias A.D. në datë 07.12.2008, rreth orës 00:10 në zonën e Athinës në rrugën “Efpalinu”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të dhunshëm midis dy grupeve shqiptare për motive të dobëta, i kanë shkaktuar shtetasit A.Xh., dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit si pasojë e goditjeve me duar/grusht, shkopinj dhe thikë, ku referuar autopsisë si shkak i vdekjes është konkluduar dëmtim i rëndë i pjesës së majtë të kraharorit dhe zemrës që vjen si rezultat i goditjeve vdekjeprurëse.

Nga analiza e akteve të administruara në fazën e hetimeve paraprake, rezultoi e provuar tej çdo dyshimi se të pandehurit G.L. dhe A.T. (aktualisht në masën e sigurisë arrest me burg), kanë konsumuar veprën penale “Vrasja me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal, vepër kjo e kryer me veprime aktive të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos