Nxënësi i shkollës së mesme “Sulejman Delvina” në qytetin e Delvinës, në një prononcim për mediat disa ditë pas plagosjes me thikë nga një bashkëmoshatar i tij në të njëjtën shkollë, ka kërkuar drejtësi për rastin, pasi sipas tij babai i agresorit ka tentuar ta blejë me lekë heshtjen e tij, përcjell A2 CNN.
“Unë nga ai nuk kam pasur asnjë telefonatë, as nuk dua që të kem nga persona të tillë, as nuk dua, sepse nuk janë në interesin tim njerëz të tillë. Unë nga babai i tij kam pasur takim. Bile babai i atij u mundua të më korruptonte, por unë nuk korruptohem me lekë i them babait të atij”, thotë i mituri. “Edhe t'i bjerë sa të dojë, jo xhepave, por kujt të dojë. Ta mbushi Delvinën plot me lekë. Unë kërkoj drejtësi. Në qoftë se nuk ka drejtësi, dihen që janë gjërat e tjera në këtë mes pastaj”.
I plagosuri që mori katër goditje me thikë shprehet se nuk është i sigurt as ai dhe as bashkëmoshatarët e tjerë për sa kohë agresori shëtit i lirë në Delvinë. “Jo, nuk e ndjej të sigurt kur ai lëviz nëpër Delvinë i qetë, sikur s'ka ndodhur asnjë gjë. Në qoftë se unë do ta bëja veprimin në vendin e atij, në qoftë se do të qëlloja atë, unë nuk do lëvizja ai qetë në Delvinë. Ka dalë më shpejt ai nga burgu se unë nga spitali. Po ai e bëri pa arsye, më qëlloi mua. Ai e bën prapë tani që ka edhe një arsye më të fortë”, shprehet i mituri.
Sakaq nga Drejtoria e Shkollës së Mesme “Sulejman Delvina” mësohet se autori i kësaj plagosje është përjashtuar nga shkolla ndërsa mbetet për t'u parë se si do të veprohet nga organet ligjzbatuese. Ndërsa ngjarja ka ngritur shqetësim në komunitetin e Delvinës, duke rikthyer dhe njëherë vëmendjen tek nevoja për më shumë kujdes, komunikim dhe bashkëpunim mes shkollës, familjes dhe institucioneve, në mënyrë që konflikte të tilla mes të rinjve të mos përshkallëzohen në dhunë të ashpër, si dhe të shmangin ngjarje që mund të rrezikojnë edhe jetët e tyre. (A2 Televizion)