Shkarkonin ujëra të toksikuar në rrugë, bllokohen 15 lavazhe në kryeqytet, procedohen penalisht administratorët

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2025, 10:53 | Kronikë

Shkarkonin ujëra të toksikuar në rrugë, bllokohen 15 lavazhe

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2  në kryeqytet kanë proceduar penalisht 15 administratorë lavazhesh, për shkak të shkarkimit të ujërave të toksikuar me solucione për pastrim mjetesh në rrugë dhe hapësira publike, duke ndotur mjedisin dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Sipas policisë ata akuzohen për ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës.

Policia ka bllokuar aktivitetet e 15 lavazheve deri në marrjen e lejes mjedisore si dhe janë sekuestruar mjetet e përdorura në këto subjekte.

“Gjatë verifikimeve të kryera me objektiv parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër mjedisit, që gjithashtu rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 konstatuan se 15 lavazhe në territorin në juridiksion të këtij komisariati keqmenaxhonin shkarkimin e ujërave të toksikuar nga solucionet e pastrimit, duke i derdhur ato në rrugë dhe në hapësira publike. Për këtë paligjshmëri, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 15 administratorët e këtyre subjekteve, konkretisht shtetasit: G. C., S. P., P. K., A. T., N. S., A. M., A. D., S. F., Sh. R., A. D., M. H., B. Sh. K. Xh., O. H dhe A. Xh., për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, njofton policia.

Gjithashtu janë marrë mostra të solucioneve të përdorura për pastrimin e automjeteve, me qëllim ekzaminimin kimik.

Shërbimet e Policisë iu kanë dërguar shkresa institucioneve kompetente, për marrjen e masave administrative të nevojshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos