
Ka ndërruar jetë edhe personi i tretë, i cili ndodhej në gjendje të rëndë për jetën pas aksidentit tragjik të ndodhur mbrëmjen e së dielës, në aksin rrugor Vlorë–Kotë, raporton A2 CNN.
Dy automjete u përplasën kokë më kokë, duke lënë dy viktima në vendngjarje dhe një të plagosur rëndë.
Vetëm dy orë më pas, edhe i plagosuri Andrea Behaj nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga ky aksident i rëndë.
A2 CNN raporton se ai ishte pasagjer në njërin nga automjetet ku humbën jetën të dy drejtuesit Adi Alushaj, rreth 30 vjeç dhe Esat Brahimaj, rreth 40 vjeç.
AksidentI i rëndë rrugor ndodhi të dielën, më 22 mars 2026, në aksin Vlorë–Kotë, në zonën e fshatit Drashovicë, përgjatë rrugës së lumit të Vlorës.
Në aksident u përfshinë dy automjete, një mjet tip “Benz” dhe një mjet tip “Ford”. Si pasojë e përplasjes së fortë, të dy drejtuesit e mjeteve humbën jetën në vendngjarje.
(A2 Televizion)