
Një 36-vjeçar që shpërndante kokainë dhe kanabis në qytetin e Lushnjës ka përfunduar në prangat e policisë. “Blutë” i sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë dhe kanabis, dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe pas një hetimi 1-mujor, finalizuan operacionin e koduar “Fokusi”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi O. H., 36 vjeç, banues në Lushnjë. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi prej 55 gramë lëndë narkotike kokainë dhe 562 gramë lëndë narkotike kanabis. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët narkotike, 1 peshore elektronike, një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe një celular”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, në ngarkim të shtetasit O. H., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. (A2 Televizion)