Shtohen kontrollet, festat e fundvitit shtojnë aksidentet rrugore

Nga Marjo Brakaj
26 Dhjetor 2025, 15:25 | Kronikë

Shtohen kontrollet, festat e fundvitit shtojnë aksidentet rrugore

Ndërsa qytetet vishen me drita dhe kalendarët numërojnë ditët e fundit të vitit, rrugët shqiptare përballen me një realitet më pak festiv. Trafiku shtohet, nxitimi rritet dhe kujdesi shpesh mbetet pas. Fundviti, përveç gëzimit, sjell edhe një bilanc të rëndë aksidentesh, që çdo vit përsëritet pothuajse si një ritual i hidhur.

“Kur afrojnë festat, sjellja e drejtuesve ndryshon ndjeshëm. Ka më shumë lëvizje, më shumë emocione, por edhe më pak durim. Shoferët nisen me idenë se duhet të arrijnë shpejt, duke harruar se rruga nuk fal gabime”, thotë eksperti për sigurinë rrugore Islam Qibini.

Shpejtësia e lartë mbetet shkaku kryesor i aksidenteve në këtë periudhë, e ndjekur nga parakalimet e rrezikshme dhe mosrespektimi i sinjalistikës. Në shumë raste, një sekondë pakujdesie mjafton për të kthyer një udhëtim familjar në një tragjedi.

“Ne flasim për shpejtësi, por në thelb flasim për mungesë përgjegjësie. Kur tejkalon normat, nuk rrezikon vetëm jetën tënde, por edhe të atyre që nuk kanë asnjë faj, një familje tjetër, një këmbësor, një fëmijë”, thekson Qibini.

Autoritetet kanë paralajmëruar shtim të kontrolleve dhe patrullimeve në akset kryesore, por ekspertët theksojnë se asnjë masë nuk është e mjaftueshme pa ndërgjegjësim qytetar. Siguria rrugore, veçanërisht në fundvit, nis nga zgjedhjet e vogla që bëhen para se të ndizet makina.

“Festat nuk duhet të maten me shpejtësinë e mbërritjes, por me sigurinë e kthimit. Nëse të gjithë do ta kishim këtë parim, fundviti nuk do të shënohej më nga sirenat, por nga familjet e mbledhura rreth tryezës”, shprehet eksperti.

Në një periudhë që simbolizon mbyllje dhe fillime të reja, mesazhi mbetet i qartë: rruga kërkon durim, përgjegjësi dhe respekt për jetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos